Këndvështrimet e sistemit ndërkombëtar sipas realistëve klasikë dhe neorealistëve

02.03.2011

Realizmi klasik dhe neorealizmi

 

Teoritë janë një bashkësi hipotezash dhe konceptesh që synojnë të shpjegojnë fenomene të ndrryshme duke specifikuar raportin ndërmjet koncepteve. Qëllimi përfundimtar i teorive është të parashikojë fenomene.Teoritë shjegojnë ose përshkruajnë, ndryshimet në sistemin ndërkombetar, ndryshimet në njësitë e këtij sistemi, ndryshimet e proceseve dhe të strukturave. Teoritë janë racionaliste dhe reflektiviste. Një ndër teoritë reflektiviste është dhe realizmi klasik.[1]
Realizmi në kontekstin e marrëdhënieve ndërkombëtare [2], përfshinë një shumëllojshmëri të teorive dhe metodave, të cilat besojnë se shtetet janë kryesisht të motivuara nga fuqia, dëshira për pushtet ekonomik dhe ushtarak ose për siguri, dhe jo idealet apo etikën. Ndër teoricientët e realizmit klasik do të veçonim: Tukididi, Thomas Hobbes, Nikolo Makiaveli, Von Klausewtz, Hans Morgenthau.

Gjashtë parimet bazë të realizmit sipas Morgenthau:


1. Realizmi beson se politika është qeverisje nga ligjet objektive të cilat karakterizohen nga natyra e njeriut.
2. Shtyllë kryesore e realizmit politik është koncepti i interesit të përcaktuar në kushtet e fuqisë e cila injekton mënyrën racionale në çështjen e politikës, dhe kështu bën teorike të kuptuarit e politikës.
3. Realizmi supozon se interesi i përcaktuar si objektiv i fuqisë është një kategori e cila është universalisht e vlefshme, por nuk do të thotë se është fikse për të gjithë. Fuqia është kontrolli i njeriut mbi njeriun.
4. Realizmi politik është në dijeni të rëndësisë morale të veprimit politik.. Ai është gjithashtu në dijeni të tensionit midis komandës morale dhe kërkesave për veprim politik të suksesshëm.
5. Realizmi refuzon të identifikojë aspiratat morale të një kombi të veçantë, me ligjet morale të cilat drejtojnë universin. Është koncepti i interesit të përcaktuar në aspektin e pushtetit që na mbron nga politika pa mend.
6. Realizmi politik është i bazuar në konceptin pluralist të natyrës së njeriut. Por, në mënyrë autonome për të zhvilluar një teori apo sjellje politike, "njeriu politik" duhet të jetë i shkëputur nga aspekte të tjera të natyrës njerëzore.[3]


Këndvështrimet e sistemit ndërkombëtar sipas realistëve

 
Realistët kanë nocione të qarta rreth sistemit ndërkombëtar dhe tiparet e tij themelore. Të gjithë realistët e karakterizojnë sistemin ndërkombëtar si anarkik. Nuk ekziston asnjë autoritet mbi shtetin ; shteti është sovran. Kjo strukturë anarkike kufizon veprimet e vendimmarrësve dhe ndikon në shpërndarjen e kompetencave ndërmjet aktorëve të ndryshëm. Sidoqoftë, realistët ndryshojnë nga njëri-tjetri për sa i përket shkallës së autonomisë së shtetit në sistemin ndërkombëtar. Realistët tradicionalë pranojnë se shtetet veprojnë në mënyrë të pavarur dhe i japin formë sistemit,ndërsa neorealistët besojnë se shtetet kufizohen nga struktura e sistemit. Për të dyja palët, anarkia është parimi bazë rregullues, ç’ka do të thotë që secili shtet në sistem, të kujdeset para së gjithash për interesat e tij kombëtare. Realistët e karakterizojnë sitemin ndërkombëtar në bazë të përmasave të polaritetit.[4]


Këndvështrimet realiste mbi shtetin

 
Realistët e vënë theksin e tyre mbi shtetin. Ata besojnë se shteti është një aktor autonom i kushtëzuar vetëm nga anarkia e sistemit ndërkombëtar. Shteti gëzon sovranitet; d.m.th autoritetin për të administruar çështjet që shtrihen brenda kufijve të tij. Si njësi e pavarur, shteti ka një numër të qëndrueshëm objektivash, një objektiv kombëtar të përcaktuar në raportet e forcës së shtetit.[5]


Pikëpamjet realiste mbi natyrën e fuqisë së shtetit

 
Shtetet janë aktorë të rëndësishëm pasi ata kanë fuqinë,e cila është aftësia jo vetëm për të ndikuar ndaj të tjerëve por edhe për të ndikuar përfundimet në mënyrë që të arrijnë rezultate që nuk do të vinin në mënyrë të natyrshme. Shtetet kanë fuqi si në raport me shtetet e tjerë,ashtu edhe në raport me aktorët brenda shtetit. Për realistët fuqia është monedha e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe përbën një qëllim në vetvete. Fuqia është një koncept shumëdimensional.[6] Ekzistojnë katër lloj fuqish: Burimet natyrore të fuqisë (gjeografia, resurset natyrore, popullsia); Burime të matshme të fuqisë (zhvillimi industrial, aksesi në burime); Burime të pamatshme fuqie (imazhi kombëtar, mbështetja publike dhe lidershipi).


Fuqia e shtetit në marrëdhëniet ndërkombëtare ushtrohet nëpërmjet:
1. Mjeteve diplomatike (Negociatat)
2. Mjeteve ekonomike (Sanksioneve pozitive, sanksioneve negative)
3. Mjeteve ushtarake (Imponimit, përmbajtjes )

 


Interesi dhe Drejtësia [7]

Realistët e vënë theksin tek interesat dhe fuqia si prioritet i shteteve. Atyre nuk u intereson koncepti i drejtësisë. I vetmi interes që shfaqin realistët për drejtësinë lidhet me dy faktorë :
1. Sepse drejtësia është çelësi që siguron influencën dhe,
2. Drejtësia siguron bazën mbi të cilën aktorët drejtojnë interesat e tyre.

 


Këndvështrimet realiste mbi individin

 
Karakteristikat themelore të njeriut mund të influencojnë shoqërinë ndërkombëtare. Filozofi anglez Thomas Hobbes imagjinon një gjendje natyrore, një botë pa autoritet qeverisës, apo rend shoqëror, në të cilën njerëzit sundojnë përmes pasioneve dhe jetojnë me një pasiguri të përhershme për sigurinë e tyre individuale. Për Hobbes-in jeta e njeriut është e vetmuar, egoiste dhe madje shtazore. Duke kaluar në nivelin ndërkombëtar, në mungesë të një autoriteti ndërkombëtar, të aftë të vendosë rendin dhe imponojë ligjin, shoqëria është në një gjendje natyrore e njohur ndryshe me termin “anarki”. Shtetet e lëna në këtë gjendje anarkike, veprojnë sikurse dhe njeriu në gjendjen e natyrës.[8]


Shkaqet e luftës sipas realistëve


Për shpërthimin e luftës, janë akuzuar karakteristikat e udhëheqësve të veçantë dhe cilësitë e përgjithshme të njerëzve (natyra egoiste). Disa udhëheqës të veçantë, janë agresivë dhe luftënxitës. Ata e përdorin pozitën e tyre të udhëheqjes për të çuar më tej kauzën e tyre. Sipas realistëve lufta ndodh për shkak të karakteristikave personale të udhëheqësve kryesorë. [9] Ndërsa sipas neorealistëve lufta shpërthen për shkak të strukturës anarkike të sistemit ndërkombëtar. Në një sistem të tillë, lufta është rrjedha logjike e veprimit që duhet të ndërmerret.


Teoria e lojës


Teoria e lojës supozon që secili shtet është një njësi autonome vendimmarrëse dhe se ai ka një grup unik alternativash dhe përfitime të përcaktuara që lidhen me secilën alternativë. Këto supozime të shtetit unitar me një interes kombëtar, e bëjnë teorinë e lojës të një rëndësie të veçantë për realistët. Teoria e lojës, mund të përdoret gjithashtu në rrethana ku një lojtar fiton dhe tjetri humbet. Pra, në formën e një loje me përfundim zero.


Vendimmarja në politikën e jashtme sipas realistëve [10]
Modeli racional


Realistët fillojnë me modelin racional, në të cilin politika e jashtme, konceptohet si veprime të zgjedhura nga qeveria kombëtare, që rrisin më tej qëllimet dhe objektivat e saj strategjike. Shteti konsiderohet si një aktor unitar me synime të caktuara. Një numër alternativash dhe një sistem rregullash përllogaritjeje për të vendosur se cila alternativë i përgjigjet apo shërben më së miri qëllimeve të tij.


Pikëpamja realiste rreth ekonomisë politike ndërkombëtare


Varianti ekonomik i realizmit quhet merkantilizëm. Merkantilizmi (interpretimi ekonomik i realizmit) është qasja më e vjetër e ekonomisë politike ndërkombëtare. Kjo nënkuptonte nevojën e një qeverie të fortë qëndrore, për mbledhje të efektshme taksash dhe rritjen e eksporteve, të gjitha të përdorura për të garantuar aftësinë ushtarake. Një version modern i merkantilizmit, thekson rolin e shtetit dhe nënshtrimin e të gjitha veprimtarive ekonomike ndaj qëllimit të ndërtimit të shtetit. Nënshtrimi i politikës ekonomike ndaj shtetit dhe interesave të tij, është tregues i faktit që politika përcakton ekonominë.


Realizmi Ofensiv dhe Defensiv [11]


Realizmi ofensiv (sulmues): Shtetet janë agresive, sulmojnë njëri-tjetrin për të përfituar. Ato motivohen nga interesat kombëtare. Realistët ofensivë argumentojnë se shtetet duhet të kërkojnë gjithnjë mundësitë për të përfituar sa më tepër fuqi duke arritur maksimalisht në hegjemoni. Një nga përfaqësuesit e realizmit ofensiv është John Mearsheimer i cili e ka zhvilluar këtë teori në librin e tij “The Tragedy of Great Power Politics”.


Realizmi defensiv (mbrojtës): Shtetet janë të prirura të mos jenë agresivë, dhe të kenë qëndrueshmëri në sistem. Realistët defensivë mbështesin mendimin se zgjerimi i pafund është i nxituar dha pushtimi ka shpeshherë kosto tepër të lartë. Një nga realistët defensivë është edhe Kenneth Waltz i cili argumenton se shtetet duhet të arrijnë “sasinë e duhur të fuqisë”. Përfaqësues të tjerë janë edhe Stephen Walt, Stephen Van Evera dhe Charles Glaser.


Ndryshimi

 
Për realistët klasikë modernizimi i bashkëngjitet ndryshimit, pra që sjell ndryshime në identitet dhe ligjëratë, dhe për këtë arsye edhe në konceptimin e sigurisë. Si Tukididi ashtu edhe Morgenthau në rivendosjen e rendit shihnin për një kombinim të rendit të vjetër me atë të ri në mënyrë që të absorboheshin ndryshimet, duke kufizuar kështu potencialet e tyre shkatërruese.[12]


Disa nga përfaqësuesit kryesorë të realizmit klasik:

Kenneth Neal Waltz (lindur 1924) është një anëtar i fakultetit në Universitetin Kolumbia dhe një nga studiuesit më të shquar të marrëdhënieve ndërkombëtare. Ai është një nga themeluesit e neorealizmit, ose realizmit strukturor në teoritë e marrëdhënieve ndërkombëtare. Kontributi i tij fillestar në fushën e shkencës politike ishte libri "Man, the State, and War", më pas ai vjen me krijimin e neorealizmit, një teori e marrëdhënieve ndërkombëtare e cila thekson se veprimet e shteteve kufizohen nga karakteristikat e sistemit.

 


Tukididi ishte një historian grek. Ai shkroi një histori që ishte e ndarë në 8 libra: titulli i saj modern është “Historia e Luftës Peloponeziane”. Kontributin e tij për të gjithë historinë dhe historiografinë është një histori e gjatë e luftës 27-vjeçare mes Athinës (dhe aleatëve e saj), dhe Spartës (dhe aleatëve e saj). Ai ka qenë gjithashtu i quajtur babai i shkollës së realizmit politik. Teksti klasik i tij studiohet ende në kolegjet ushtarake në mbarë botën.


Thomas Hobbes (5 prill 1588 - 4 dhjetor 1679) ishte një filozof anglez, kujtohet sot për punën e tij në filozofinë politike. Librin e tij “Leviatani” krijoi themelin për shumicën e filozofive politike perëndimore nga perspektiva e teorisë së kontratës sociale. Hobbes gjithashtu kontribuoi në shumë fusha të tjera, përfshirë historinë, gjeometrinë, teologjinë, etikën, filozofinë e përgjithshme, dhe të shkencës politike. Sipas tij natyra e njeriut është egoiste.

 

 

Hans Morgenthau (17 Shkurt 1904 - 19 Korrik 1980) është një nga autorët kryesorë të shkollës realiste të shekullit të 20. Kjo shkollë e mendimit mban komb-shtetet që janë aktorët kryesorë në marrëdhëniet ndërkombëtare, ata janë unitar dhe racional dhe qëllimi i tyre është mbijetesa në një sistem i cili është anarkik.

John J. Mearsheimer, PhD (i lindur në dhjetor 1947) është një profesor amerikan i Shkencave Politike në Universitetin e Çikagos. Ai është një teoricien i marrëdhënieve ndërkombëtare, i njohur për librin e tij për sa i përket realizmit ofensiv, “The Tragedy of Great Power Politics”.

 

 

 

 


Bibliografia
• Enika Abazi, Cikël leksionesh “Teoritë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare” UET Viti Akademik 2008-2009
• Hans J. Morgenthau, "Six Principles of Political Realism," Politics Among Nations: The Struggle for Power and Peace, Fifth Edition, Revised, page. 4-15
• Donnelly Jack “ Realism and international relations” chapter III,page 7-15
• Waltz Kenneth “Man,the state and War” Chapter II, page 16-18
• Steven J. Brams “ Game theory and politics” page 2-15
Burimi i të dhënave
1. ^ Enika Abazi, Cikël leksionesh “Teoritë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare” UET Viti Akademik 2008-2009
2. ^ M.N janë studimi i ndërveprimit mes aktorëve të ndryshëm që marrin pjesë në politikën globale.
3. ^ Hans J. Morgenthau, "Six Principles of Political Realism," Politics Among Nations: The Struggle for Power and Peace, Fifth Edition, Revised, fq. 4-15
4. ^ Polariteti (njëpolar, dypolar, shumëpolar) i sistemit i referohet numrit të shteteve që ushtrojnë fuqi, në sistemin ndërkombëtar. Realistët interesohen në veçanti për polaritetin për shkak të fokusimit të tyre tek fuqia.
5. ^ http://www.allacademic.com/meta/p_mla_apa_research_citation/1/8/1/1/1/p181118_index.htmlb
6. ^ Donnelly Jack “ Realism and international relations” chapter III,page 7-15
7. ^ Enika Abazi, Cikel leksionesh “Teoritë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare” UET Viti Akademik 2008-2009
8. ^ http://oregonstate.edu/instruct/phl302/texts/hobbes/leviathan-c.html
9. ^ Waltz Kenneth “Man, the state and war” Chapter II, page 16-18
10. ^ Steven J. Brams “Game theory and politics” page 2-15
11. ^ Enika Abazi, Cikël leksionesh “Teoritë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare” UET Viti Akademik 2008-2009
12. ^ Enika Abazi, Cikël leksionesh “Teoritë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare” UET Viti Akademik 2008-2009

Prapa